Teksa pritet që muajin e ardhshëm të kemi rezultatet konkrete të çështjes së hapjes së negociatave të Shqipërisë me BE-në, ish-ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati ka një tjetër mesazh për politikën shqiptare.
Në një intervistë të dhënë për Vizion Plus, Bushati thotë, se nuk është ky hapi ku Tirana duhet të përqendrojë vëmendjen. “Ne jemi në kushtet kur pritshmëria kryesore duhet të jetë për datën dhe jo më për raportin. Duhet të kujtoj që Maqedonisë së Veriut të nga 2009 nuk i ka munguar një rekomandim nga Komisioni Evropian që shoqëronte Raportin e Progresit apo raportin vjetor, dhe në një dekadë pavarësisht se kishte në mënyrë të përvitshme përsëritjen e rekomandimit, nuk e pati të mundur të fillonte bisedimet për anëtarësim. Prandaj në këtë moment fokusi ynë kryesor duhet të jetë sigurimi i konsensusit brenda vendeve anëtare në mënyrë që Shqipërisë ti jepet data”, është shprehur Bushati.
Ish-ministri i Jashtëm kohëve të fundit është treguar kritik edhe për kahun e tij politik, mazhorancën. Edhe në këtë dalje publike ai ka deklaruar se situata aktuale e pengon integrimit dhe nga të dyja palët duhet përgjegjshmëri. /real-news.tv/

