Sot mbushen plot 7 vite nga aksidenti tragjik në Qafën e Vishës në Himarë, ku 13 jetë u prenë në mes në moshën e tyre më të bukur.
Aksidenti tragjik ndodhi në 21 maj të 2012-s në afërsi të Himarës, teksa autobusi me studentë të universitetit “Aleksandër Xhuvani” të Elbasanit humbi kontrollin dhe ra në humnerë.
Ishte ora rreth 16 e 15 minuta kur autobusi me studente po ecte në drejtim të Sarandës në kuadrin e një ekskursioni-ekspeditë, një udhëtim që u pre në mes.
Ndonëse kanë kaluar pak vite, dhimbja e familjarëve të viktimave mbetet e njëjtë, ndërsa vuajnë mungesën e vajzave të tyre.
Si pasojë humbën jetën 11 studente të vitit të tretë dega Gjuhë-Letërsi, i fejuari i njërës prej të rejave, si dhe drejtuesi i autobusit, ndërsa u plagosën 22 vajza të tjera studente.
Si asnjë ngjarje më parë, ajo tragjedi do të mbahet mend për solidaritetin e treguar nga banorët e Himarës, të cilët u bënë një, duke ndërhyrë të parët në operacionet e shpëtimit.
Destinacioni fillestar, ishte qendra shëndetësore e Himarës, vetëm pak minuta larg vendngjarjes.
Një ditë më pas, në 22 maj i gjithë vendi do të ishte në ditë zie kombëtare, në respekt të jetëve të prera në mes.
Homazhet do të kulmonin në Universitetin e Elbasanit, vendi ku vajzat ndiqnin çdo ditë leksionet në auditore. Pavarësisht se kanë kaluar vite, humbja e jetës së 11 studenteve ka lënë pas brengë për familjarët, të afërmit, por edhe për pedagogët e këtij universiteti.
Ja 13 viktimat e tragjedisë:
- Denisa Guzi Nga Gramshi
- Ermira Mana Nga Elbasani
- Aurora Molla Nga Pogradeci
- Lindita Kabashi Nga Elbasani
- Joana Debinja Nga Lushnja
- Elsa Daka Nga Elbasani
- Juliana Tola Nga Elbasani
- Armand Halilaga Nga Kavaja
- Pëllumb Çela Nga Elbasani
- Fabiola Shehi Nga Bërxulla Tiranë
- Eriola Xhoi Nga Elbasani
- Eranda Baloshi Nga Elbasani
- Dorina Stafa Nga Kruja





