Presidenti Ilir Meta thërret një tjetër konferencë për mediat sot në orën 16:00 një ditë pasi socialistët nisën procedurat për shkarkimin e tij.
Ky vendim erdhi si pasojë e aktit të kreut të shtetit i cili firmosi ditën e djeshme dekretin për anulimin e zgjedhjeve lokale të 30 qershorit.
PS kërkoi mocion për debat ditën e enjte, për të miratuar rezolutën për shkarkimin e Metës.
Në mbledhjen e sotme të konferencës së kryetarëve u vendos që kjo seancë do të zgjasë 5 orë, ndër to 170 minuta për PS dhe 130 minuta për opozitën dhe deputetët e pavarur.
Në kërkesën e firmosur nga kryetari i grupit të PS-së, Taulant Balla theksohet se akti i Presidentit është i pavlefshëm, i paprecedentë dhe në kundërshtim me Kushtetutën, pasi sipas tij synon te pengoje shqiptaret që të zgjedhin përfaqësuesit e tyre në pushtetin vendor.
Dekreti për anulimin e zgjedhjeve kaloi dje në KQZ e cila nuk iu bind dekretit presidencial për të ndërprerë punën për përgatitjet e 30 qershorit. Kryetari i KQZ-së, Klement Zguri ishte i vetmi që kërkoi zbatimin e vendimit të presidentit.
Por pasi braktisi mbledhjen, 4 anëtarët e propozuar nga PS e konsideruan aktin nul, pa marrë asnjë vendimmarrje, dhe vijuan me rendin e ditës si të ishte një situatë normale, duke shpërndarë fondet për partitë pjesëmarrëse në zgjedhje.

