TË FUNDIT

Pse Basha, Monika dhe Berisha nuk e sulmojnë Erion Veliajn?

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha së bashku me drejtuesen e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi që pas djegies së mandateve nisën sulmin më të madh politik ndaj mazhorancës së kryeministrit Edi Rama.

Sulmi politik i opozitës ka qenë i përqendruar në denoncimin e skandaleve të mazhorancës socialiste dhe shoqërimin e tyre në protesta të njëpasnjëshme, të cilat herë kanë qenë të dhunshme dhe herë paqësore.

Situata politike ka arritur pikën e vlimit ku mazhoranca dhe opozita po përplasen midis tyre mbi datën e zgjedhjeve vendore të 30 qershorit. Shfuqizimi nga ana e presidentit Meta të kësaj date i ka dhënë edhe më shumë hov opozitës për të mësyrë në vendet e paracaktuara për qendra votimi.

Kjo është intensifikuar edhe më shumë me përgjimet e publikuara së fundmi nga gazeta gjermane, BILD, e cila nxori në dritën mekanizimin e vjedhjes së votave të zgjedhjeve të vitit 2017 dhe atyre në Dibër.

Përgjimet faktuan denoncimet e herëpashershme të opozitës e cila ofensivën e saj politike e ka përqendruar tek një njeri; Edi Rama. Madje edhe slogani i protestës ndaj mazhorancës qeverisës është në numrin njëjës dhe i adresohet vetëm kryeministri: Rama Ik!

Opozita ka denoncuar së fundmi të gjithë njerëzit e Edi Ramës, nga Saimir Tahiri, i cili dyshohet për lidhje me trafikun e drogës midis Italisë dhe Shqipërisë, Vangjush Dako, i cili rezulton i përfshirë me Avdylajt në përgjime për vjedhjen e votave në Durrës dhe Shijak, Pjerin Ndreu për ndërhyrjen në votimet për qarkun e Lezhës, dhe së fundmi edhe Damian Gjiknurin, i cili gjithashtu dilte hapur në grabitjen e votave në Dibër.

Në denoncimin e opozitës mungon dikush, dhe ai është njeriu që ka në dorë gati gjysmën e Shqipërisë, ka në dorë bashkinë më të madhe në vend, njeriu më i pushtetshëm pas kryeministrit Edi Rama, njeriu që vendos së çfarë do ndërtohet dhe çfarë jo në Tiranë; Ai është Erion Veliaj.

Mungesën e emrit të Erion Veliajt në denoncimin e opozitës nuk ngurron ta përforcojë edhe kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi e cila e cilëson edhe si kryebashkiak punëtor, madje ka shkuar deri aty sa ta mbështesë si kandidaturë për Tiranën.

Me gjithë babëzinë që Erion Veliaj ka kryer me ndërtimet në kryeqytet dhe fuqinë politike që po merr aktualisht ai i ka ‘shpëtuar’ edhe sulmit të njeriut që sulmon më shumë se çdo politikan në Shqipëri, që sulmon edhe atë që mund të jetë pa asnjë mëkat; Dhe ky ‘Pitbull’ i plakur i sulmeve politike është Sali Berisha, i cili mjaftohet me një etiketim krejt të papërfillshëm ndaj kreut të bashkisë duke e cilësuar si ‘Lal Plehu’.

Erion Veliaj po fërkon duart kur shikon Edi Ramën me kaq skandale dhe i zhytur në një llum të pafundmë korrupsioni. Në këtë ngërdheshje entuziazmi një dorë po ia jep edhe Lulzim Basha, aq sa këtë të fundit Veliaj nuk ngurroi ta falënderojë për protestën paqësore të së premtes së 21 qershorit.

Me këtë strategji politike, opozita ndoshta po kërkon që t’i japë një dorë më shumë Erion Veliajt për t’u katapultuar në krye të Partisë Socialiste, që për rrjedhojë do ta bënte edhe kryeministër. Edi Rama është pranë gremisjes politike dhe për t’i dhënë një të shtyrë nga njeriu i tij i ‘besuar’ do të ishte një ndihmesë e madhe politike edhe për opozitën.

Kartat janë hedhur në tavolinë, dhe koha do të na tregojë se cili do të jetë fituesi në pokerin e trazuar të politikës primitive shqiptare.

spot_img

Latest Posts

Më të lexuarat