Hyrja në treg e disa hoteleve të reja ka rritur mesatarisht çmimet me 1-2 euro në këtë zonë gjatë këtij viti. Velipoja, nga ana tjetër, mbetet sot plazhi më i lirë në të gjithë Shqipërinë me çmime minimale, që nisin nga 25 euro për dhomat dyshe standarde.
Dhërmiu dhe Jala ofrojnë çmime “të çmendura” deri në 300 euro nata për suitat. Për disa të huaj, si italianët, Shqipëria është ende e lirë, për shtetasit e Kosovës dhe polakët ajo po shtrenjtohet çka po reflektohet në ulje të numrit të turistëve nga këto vende.
Një dhomë standarde me pamje nga mali, 160 euro nata, një dhomë standarde me pamje nga deti 180 euro nata, një dhomë delux me pamje nga deti, 200 euro nata.
Akomodimi në suitë, 300 euro nata. Nuk jemi në Nicë, në Francë. Kjo ishte një nga ofertat me të cilën u përball një familje austriake në Jug të Shqipërisë, saktësisht në Dhërmi. Prej dy vitesh, ata pushojnë në këtë zonë, duke marrë me vete edhe miq të tyre.
Për verën 2019, kanë zgjedhur sërish Shqipërinë, por duke ndryshuar hotelin ku kanë qëndruar dy vitet e mëparshme.
Shkaku i ndryshimit? Nuk janë të kënaqur me shërbimin që iu ofrohet në hotel krahasuar me çmimin që paguajnë. Për t’ju kthyer edhe një herë ofertës së parë, ata zgjodhën një hotel më të lirë, me 110 euro nata. Duke pasur parasysh Austrinë dhe standardin e tyre të jetesës, sigurisht që një pjesë mund të mendojë që ata e përballojnë, ndaj s’kanë pse ankohen.
Kjo është e vërtetë, edhe 300 euro nata mund ta përballojnë, por ndërsa hoteli justifikon çmimin brenda mureve të tij, ambienti përreth e zbeh këtë.

