Në një fjalim në qytetin Tabriz, një ditë pasi Shtetet e Bashkuara e sanksionuan ministrin e Jashtëm iranian, Javad Zarif, presidenti i Iranit, Hassan Rohani, tha se ky veprim i SHBA-së tregon se Uashingtoni frikësohet nga kryediplomati iranian.
“Amerikanët kanë sjellje fëminore. Ata thonë çdo ditë se duan të bisedojnë pa kushte dhe pastaj sanksionojnë ministrin e Jashtëm. Armiqtë tanë janë aq të pafuqishëm sa që e kanë humbur aftësinë për të vepruar me mençuri”, tha ai.
Tensionet midis dy vendeve janë rritur ndjeshëm prej majit të vitit 2018, kur SHBA u tërhoq nga marrëveshja bërthamore midis Iranit dhe fuqive botërore dhe riktheu sanksionet kundër Republikës Islamike.

