Erion Veliaj në fushatën e tij elektorale në vitin 2015-ë kishte një kalë beteje: Nuk do të lejonte më ndërtime në kryeqytet pasi betonizimi i kishte kaluar çdo kufi dhe Tirana ishte e mbingarkuar me ndërtime. Na premtoi se do të zgjeronte hapësirat e gjelbra dhe do të realizonte “Tiranën e 5 parqeve”, siç e quajti ai.
Por në realitet çfarë ka ndodhur në këto vite kur ka ‘shërbyer’ si kryebashkiak i kryeqytetit?! Sipas shifrave zyrtare vetëm në dy vite, 2017 dhe 2018, Veliaj ka dhënë leje më shumë se dyfishi i ndërtimi për 5 vitet para se ai të vinte në krye të bashkisë, vitet 2010-2015.
Në një shkrim dhe analizë të gjatë të botuar në Citizens Channel analizohet e gjithë kjo batërdi që është bërë me ndërtimet në Tiranë në periudhën e drejtimit të Erion Veliajt.
Në këtë shkrim analizohet me shifra dhe fakte çfarë ka ndodhur me planin e përgjithshëm vendor “Tirana 2030”, ku Bashkia e Tiranës parashikonte krijimi i një kurore të gjelbër të qytetit, e cila do të përfshinte edhe 5 parqe të qytetit: Parkun e Madh të Liqenit Artificial; Liqenin e Farkës; Parkun e Kasharit; Liqenin e Vaqarrit dhe Parkun e Dajtit.
Jo gjithçka mund të quhet një park qyteti. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë banorët e zonave urbane duhet të kenë akses në një hapësirë të gjelbër prej të paktën 0.5 – 1 hektar në një distancë prej 300 metra linear (ecje prej 5 minutash) nga banesat e tyre.
Sigurisht që duke pasur parasysh diçka të tillë absolutisht që ky kusht nuk i plotësohet qytetarëve të Tiranës. Sipas Citizens Channel për t’i arritur këto hapësira të gjelbra qytetarët që përdorin automjetet duhet të udhëtojnë 29 minuta për në Parkun e Kasharit, 25 për në liqenet e Farkës dhe Vaqarit dhe 53 minuta për në Dajt.
Për më tepër në këto parqe që pretendon Bashkia e Tiranës janë dhënë leje ndërtimi pa kriter në vend që të investohet për t’i bërë parqe rekreative. Në Liqenin e e Farkës janë ndërtuar blloqe vilash në vend të terreneve sportive.
Në Parkun e Farkës nuk ka asnjë terren sportiv dhe shëtitorja buzë liqenit ndërpritet në hyrjen e një kompleksi rezidencial vilash të lënë përgjysmë që nga viti 2015, duke vazhduar në formën e një shtegu të pashtruar që sërish kalon krah një toke të rrethuar për ndërtim.
Në parkun e Kasharit nga ana tjetër nuk është bërë asgjë për ta klasifikuar si hapësirë rekreative. Kjo hapësirë plotëson vetëm dy nga 10 kriteret për tu quajtur park. Nuk ka një rrugë me trotuarë apo korsi biçiklete që e lidh parkun me rrugën kryesore, mungon çdo tabelë orientuese, nuk ka burim uji të pijshëm e as ambiente të përshtatura për aktivitete sportive, piknik apo ecje. E njëjta situatë është edhe me Liqenin e Farkës, dhe situata e tillë vijon edhe me Liqenin e Vaqarrit, ku investimet janë pothuajse zero.
Citizens Channel shkruan se Parku i Madh i Liqenit Artificial të Tiranës (PMLAT) është aktualisht e vetmja hapësirë e gjelbër në Tiranë që ka kriteret për tu quajtur park qyteti. Aty nuk mungojnë as stolat, fushat sportive, shtigjet për vrapim, ecje dhe korsi biçikletash. PMLAT gjithsesi ka vazhduar të marrë pjesën e luanit në buxhetin e APR për parqet (37.5 milionë lekë), duke marrë 5 herë më shumë investime se të gjithë parqet e tjera të marra së bashku.
Por sigurisht që edhe aty nuk mund të rrinte pa “kafshuar” Veliaj e të tjerë. Po ndërtohet aktualisht poshtë digës së liqenit, dhe ndërtime të tjera që kanë nisur në krahun lindor të parkut pra në pjesën ku parku takohet me rrugën e Elbasanit.
Kjo është me pak fjalë ajo që “Lali Eri” i ka sjellë Tiranës këto vite qeverisjeje ndërkohë që premtoi absolutisht të kundërtën. Megjithatë stoikisht vijon propagandën se hapësirat e gjelbra na i ka shtuar. Shifrat e mësipërme dhe tonelatat e betonit që po na merr frymën, po na merr dritën e diellit dhe oksigjen çdo ditë e më shumë janë dëshmia e qartë e realitetit.

