Në një rast krejt të paprecedentë Bashkia e Tiranës ka ngritur një monument përkujtimor në Parkun e Liqenit, në nder të 251 qytetarëve turq të vrarë gjatë grushtit të dështuar të shtetit të korrikut 2016.
Po në këtë vend, me mbështetjen e qeverisë turke, Bashkia ka mbjellë aty 251 rrape të sjella nga Turqia, dhe rrugës i ka dhënë emrin “Dëshmorët e 15 Korrikut”.
Memoriali përmban emrat e 251 qytetarëve të vrarë në mbrojtje të qeverisë së Presidentit Erdogan, gjatë tentativës për grusht shteti tre vjet më parë në Turqi.
Shqipëria është vendi i parë dhe i vetëm në botë që i ngre memorial viktimave të grushtit të dështuar të shtetit në Turqi.
Gjithashtu, në vendin tonë nuk ekziston asnjë memorial i ngjashëm për asnjë vend tjetër në botë. Ndërsa nuk është ngritur asnjë memorial për viktimat e komunizmit apo ngjarjeve të tmerrshme të ndodhura në Shqipëri pas viteve ’90.
Nuk është e qartë se kur, mbi bazë të cilit motiv dhe procedurave Bashkia ka vendosur ngritjen e memorialit.
Njoftimi për përurimin e rrugës, parkut dhe memorialit nuk është shfaqur në asnjë nga faqet e Bashkisë Tiranë, ku paraqitet çdo aktivitet i saj dhe i drejtuesve të bashkisë. Përkrah Ambasadorit të Turqisë Murat Ahmet Yoruk, në ceremoninë e përurimit ka marrë pjesë nënkryetari i Bashkisë Tiranë Arbian Mazniku.
Përpara përurimit, Ambasada e Turqisë organizoi edhe “Marshimin e Fitores së Demokracisë”, nga Sheshi “Nënë Tereza” deri te parku që Bashkia Tiranë ka ngritur në nder të viktimave nga organizatorët e grushtit të shtetit.

