Erion Veliaj vijon të ndjekë praktikën e vjetër të kasetave për të fuqizuar gjithnjë e më shumë propagandën e tij si ‘punëtor i madh’ edhe përgjatë këtyre ditëve të nxehta të gushtit.
Veliaj u rikonfirmua disa ditë më parë në krye të bashkisë së Tiranës, por nuk ka harruar vesin e tij që sa herë arratiset jashtë vendit, të kujdeset për të lënë kasetat e përgatitura shumë kohë më parë, dhe i shet si kronika aktuale.
Ndërkohë që Erion Veliaj është larguar në një vend ekzotik jashtë Shqipërisë me pushime, zyra e Bashkisë së Tiranës ka shpërndarë një ditë më parë një kasetë për mediat sikur Veliaj ka qenë duke inspektuar punimet në Bulevardin “Zogu i Parë”.
Po të vëresh me vëmendje kronikën e transmetuar shihet se Erion Veliaj inspekton punimet në këtë aks të bulevardit. Por ato janë punime që i përkasin pothuajse një jave më parë, pasi vetë videoja e tradhton kryetarin e bashkisë. Sipas videos së bashkisë, makineritë janë duke zhvendosur pllakat e para të bulevardit, ndërsa ditën e djeshme në mesditë pllakat pothuajse ishin hequr të gjitha. Pra, logjikisht videoja është xhiruar disa ditë më parë dhe është shitur dje si aktuale.

Gjithashtu, vetë Veliaj tre ditë më parë, shfaqej pranë djalit të tij duke postuar një foto së bashku me të. “U rritëm ne, 10 muaj”, shkruan Veliaj bashkëngjitur fotos, duke mos e saktësuar nëse ndodhet në Tiranë apo jo.
Kjo është një nga rastet e shumta të kryetarit të bashkisë së Tiranës, i cili e ka shndërruar këtë në praktikë pune, aq sa edhe kur u martua, dita e diel e “gjeti” në bashki.
Veliaj, është zbuluar në ushtrim të kësaj praktike edhe kur ndodhej në Azi, ndërkohë që në Shqipëri jepeshin videot e takimeve të tij me qytetarët e kryeqytetit.
Ky është një format që politikanet shqiptarë po e përdorin gjithmonë e më shpesh, mbi të gjitha Veliaj që e ka kthyer tashme në një skemë për të treguar sipas tij, se gjithmonë është në krye të punëve.

