Detaje të reja janë zbardhur nga vrasja e 26-vjeçarit Santiago Malko, i cili u ekzekutua teksa ishte në automjetin e tij tip BMV, në rrugën Xhanfize Keko në Tiranë.
Burime nga policia thonë se për ekzekutimin e Malkos, janë përdorur dy automjete, të llojit Mercedes Benz, një prej tyre është gjetur e djegur në fshatin Ferraj të Tiranës, pranë zonës së Shish Tufinës.
Po burime nga policia bëjnë me dije se në kërkim si një nga autorët e vrasjes është shtetasi me inicialet D. A, por ka konfirmuar identitetin e plotë.
Paraprakisht, thuhet se ai ka njohje me një grup kriminal në Tiranë, ndërsa në vitin 2016 është përfshirë në një konflikt me dy vëllezër.
Siç raportohej personat e përfshirë në konflikt ishin Edmond e Gentian Lashi, 34 e 26 vjeç dhe ish-punonjësi i Patrullës së Përgjithshme të Policisë së kryeqytetit, 23-vjeçari Santiago Malko.
Të dyja palët, kishin në pronësi lokale bastesh sportive në të njëjtën zonë, por sipas Policisë konflikti ka ndodhur në lokalin e Edmond Lashit.
Ka qenë ish-polici Santiago Malko që ka shkuar në pikën e basteve të vëllezërve Lashi dhe është konfrontuar fizikisht me ta. Nga përleshja fizike, 23-vjeçari është plagosur lehtë, pasi është goditur me grusht në hundë.
Ish-polici ka tentuar të përdorë armën, madje duke goditur njërin prej vëllezërve me qytën e saj. Më pas dy vëllezërit kanë ndërhyrë dhe ia kanë marrë armën, duke parandaluar përshkallëzimin e dhunës. Ndaj Policia ka liruar dy vëllezërit dhe ka arrestuar ish-policin.

