Një këngëtare dhe kërcimtare e talentuar e muzikës pop, humbi jetën tragjikisht para fansave të saj, pasi u godit nga një pajisje piroteknike.
Joana Sainz, 30 vjeç, po performonte së bashku me grupin “Super Hollywood Orchestra” të Spanjës, kur u godit në bark. më shumë se 1.000 spektatorë ishin duke ndjekur shfaqjen, në qytetin e vogël Las Berlanas, në veri-perëndim të Madridit, por mbetën të shokuar nga e gjithë skena tragjike që patën para syve.

Perdja u ul menjëherë, pasi këngëtarja u rrëzua në skenë.
Sainz mori plagë fatale nga lënda piroteknike, e cila i shpërtheu në bark duke i marrë jetën. Dëshmitarët e tmerruar thanë se dëgjuan një zhurmë të fortë dhe më pas panë këngëtaren të shtrirë në dysheme, përpara se koncerti të ndërpritej.

Edhe pse iu dha menjëherë ndihma e parë nga një mjek i pranishëm në koncert, dhe më pas u dërgua në spital, Sainz nuk mundi të mbijetonte, për shkak të plagëve të rënda që kishte marrë.
Një dëshmitar që ishte i pranishëm në koncert tha: “Kishte dy raketa – njëra shkoi në drejtimin e duhur dhe tjetra goditi këngëtaren në bark”.
Sipas mediEve spanjolle, ngjarja ka ndodhur rreth orës 1.49 minuta të mëngjesit të kësaj fundjave, por ambulanca mbërriti në vendngjarje 25 minuta me vonesë.
Policia ka nisur hetimet për të zbuluar shkaqet e këtij aksidenti tragjik.

