Shqipëria dhe disa vende të Ballkanit Perëndimor u përfshinë në listën gri bashkë me 36 vende të tjera për rrezikun që mbart për mashtrimet me taksat dhe evazionin.
Bashkimi Evropian po punon për të përmirësuar qeverisjen e mirë të taksave në nivel global me qëllim që të maksimizojë përpjekjet për taksimin e drejtë.
Për këtë qëllim në dhjetor të vitit 2017, Këshilli vendosi të publikojë një listë të shteteve që nuk ishin bashkëpunuese në këtë iniciativë.
Lista përditësohet herë pas herë, ndërsa në qershor të këtij viti 11 shtete janë në listën e zezë dhe 36 të tjera ku përfshihet edhe Shqipëria janë në listën gri.
Lista e zezë përmban vendet që nuk janë bashkëpunuese dhe nuk aplikojnë rregulla për taksim të drejtë, ndërsa në listën gri janë të përfshira vendet që kanë probleme me taksimin e drejtë, kanë pranuar të bashkëpunojnë, por nuk kanë rezultat. Nëse Shqipëria nuk merr në konsideratë rekomandimet rrezikon të hyrë në listën e zezë në vitin në vijim.

