Skuadrat e shpëtimit kanë filluar tashmë t’i vijnë në ndihmë banorëve të Bahamasit të cilët u prekën nga uragani “Dorian”.
Uragani, i cili ka shkaktuar disa viktima dhe dëme të mëdha materiale në Ishujt Bahamas, është duke iu afruar brigjeve të Karolinës Veriore, Karolinës Jugore, Floridës dhe Georgia.
Ndonëse uragani e ka humbur fuqinë e madhe që e kishte në Ishujt Bahamas, ai ende mund të sjellë shumë reshje dhe të shkaktojë vërshime në Karolinën Veriore, Karolinën Jugore dhe Georgia.
Autoritetet amerikane kanë paralajmëruar se këto vende mund të përballen me erëra shkatërruese, reshje të mëdha të shiut, vërshime dhe stuhi që paraqet rrezik për jetën e njerëzve.
Në shtetin e Floridës, autoritetet kanë lëshuar urdhër për evakuim të banorëve në shtatë rajone, ndërsa zyrtarët kanë filluar ndërtimin e kampeve të përkohshme të strehimit.
Qendra Kombëtare e Uraganeve njoftoi se stuhia aktualisht është duke lëvizur drejt veriut, në mënyrë paralele me bregdetin lindor të Floridës.
Deri tani janë regjistruar 7 të vdekur në Bahamas, dhe pritet që numri të rritet, pasi deri tani janë paraqitur informacione paraprake.
Kryeministri i Bahamasit, Hubert Minnis, e konsideroi uraganin si një nga krizat më të mëdha në historinë e vendit./real-news.tv/

