Ditën e sotme do të nisë viti i ri shkollor 2019-2020. Sipas MAS, në bankat e shkollës këtë të hënë do të ulen për herë të parë 24 mijë në klasën e parë.
Ndërkohë që 272 mijë janë në sistemin 9-vjeçar dhe 90 mijë nxënës në gjimnaz. Në total ditën e sotme do u drejtohen shkollave 386 mijë nxënës. Nga klasa e parë deri në të pestën librat u shpërndanë falas këtë vit shkollor.
Nisja e vitit të ri shkollor është edhe ndër periudhat më të vështira për shumë familje, pasi shpenzimet për të kompletuar fëmijën me libra dhe rroba janë relativisht të larta.
Nga një përllogaritje e thjeshtë kostoja finale që duhet të shpenzojnë prindërit arrin në rreth 20 mijë lekë të reja. Ndërkohë vetë prindërit shprehen se kërkesat e fëmijëve janë të papërballueshme.
Ndërkohë që edhe policia ka marrë masat në nisje të vitit të ri shkollor.
Përpos regjimit të ri që nis nesër në Tiranë, sipas policisë furgonët të cilët transportojë fëmijë dhe nxënës shkolle do t’i nënshtrohen një kontrolli të rreptë për përdorimin e rripave të sigurimit.
Urime nga Presidenti Meta
Një urim për të gjithë nxënësit që fillojnë ditën e sotme shkollën ka ardhur nga Presidenti i vendit, Ilir Meta. Meta ka zgjedhur disa foto të vjetra që të urojë nxënësit duke thënë se dija është e domosdoshme për dallgët e jetës.
Ndër të tjera Presidenti Meta ka uruar edhe mësuesit duke u përcjellë mirënjohjet e tij për punën e palodhur. Po ashtu Meta u ka bërë thirrje të gjithë prindërve të fëmijëve që kanë braktisur shkollën që të rikthehen në institucionin e dijes. Sipas Metës investimi në dije është investimi më i sigurt për të ardhmen europiane.
Urimi i Metës:
Të dashur vogëlushë që uleni sot për herë të parë në bankat e shkollës, ju u uroj me zemër shumë suksese dhe një vit të mbarë shkollor, në nisjen e rrugëtimin tuaj drejt dijes dhe ndërtimit të një të ardhmeje të ndritur, plot me ngjyra si ëndrrat tuaja!
Sot ju hidhni hapin më të madh e më të rëndësishëm, suksesi i të cilit, do ju ndihmojë të fitoni garat e tjera të jetës. Me mësuesit, si udhërrëfyes e bashkëudhëtarë, jam i bindur se do të jeni një brez i ditur që do t’ja ndriçojë edhe më shumë emrin Shqipërisë.
Uroj gjithashtu shumë suksese edhe për të gjithë nxënësit në këtë vit të ri shkollor, në përpjekjet e tyre për nxënien e dijeve të reja, aq të domosdoshme në përballimin e dallgëve të jetës.
Mirënjohjen më të thellë për të gjithë mësuesit, që me punë të palodhur, përkushtim e sakrifica arsimojnë denjësisht brezat e rinj. Përmbushje me sukses të misionit tuaj fisnik të edukimit!
Gjithashtu sot është dita për t’ju bërë një thirrje edhe të gjithë familjarëve dhe fëmijëve, të cilët me apo pa arsye kanë braktisur shkollën, t’i rikthehen asaj sa më parë.
Prioriteti kryesor i një shoqërie, që ka besim tek e ardhmja plot sfida, është vetëm duke investuar në dije dhe arsim tek gjenerata më e re. Ky është investimi më i sigurtë për të ardhmen tonë europiane.
Vetëm kështu ne mund të rrisim shpresën dhe besimin se do t’i kapërcejmë me sukses sfidat e së ardhmes, në radhë të parë në interesin e fëmijëve tanë, të cilët janë drita e syve, shpirti dhe zemra e çdo familjeje shqiptare, dhe e shoqërisë sonë.

