Kreu i opozitës, Lulzim Basha, ka deklaruar se i duhet dhënë fund financimit të partive politike nga bandat kriminale.
Sipas tij, angazhimi kryesor në reformën zgjedhore është ligji i partive politike, veçanërisht financimi i tyre.
“Angazhimi kryesor është ligji i partive politike, veçanërisht financimi, sidomos gjatë fushatave. Ne jemi të qartë që t’i jepet fund financimit të partive nga grupet kriminale. Vendi ka një opozitë dhe një parlament monist. Ta nisim me një reformë të financimit të partive politike, përmes një procesi të hapur. Komisioni për Reformën Zgjedhore nuk ka legjitimitetit, pasi ka në përbërje individë që duhet të ishin pas hekurave, ndaj dhe nuk mund të japë siguri dhe as të përcaktojë rregullat për pjesëmarrjen e partive në zgjedhje. Ky proces i rëndësishëm kemi kërkuar të drejtohet nga ndërkombëtarët, OSBE, BE dhe SHBA, nga një përfaqësues i parlamentit monist dhe një përfaqësues i opozitës. Këto qëndrime i bëmë të qarta sot në tryezën e thirrur nga ndërkombëtarët”, deklaroi Basha.

