Kryeministri i vendit, Edi Rama ka bërë me dije me anë të një interviste se çfarë ndodhi në takimet që zhvilloi në Asamblenë e 74-t të Kombeve te Bashkuara.
Ai ndodhet në Nju Jork, ku ka takuar kryeministrin e Greqisë me të cilin zhvilloi disa biseda, që i quajti mjaft miqësore.
“Ishte takimi i parë një prezantim miqësor, është e qartë se ka një vullnet pozitiv nga të dyja palët për një proces të nisur, për të zgjidhur disa çështje të vjetra dhe të mbartura, dhe një dëshirë të përbashkët për të hedhur hapat për bashkëpunim në planin ekonomik”, u shpreh Rama.
Gjithashtu ai ka folur për Reformën Zgjedhore, vendimin e Gjermanisë për negociatat si dhe takimin me presidentin e SHBA-ve, Donald Trump.
“Patëm një bisedë të shkurtër sepse i tillë është formati por të këndshme dhe të mjaftueshme për të kuptuar se marrëdhëniet janë të shkëlqyera dhe natyrisht edhe inkurajuese sepse të dëgjosh nga goja e Presidenti që Shqipëria po shkon mirë është kënaqësi”, u shpreh Rama.

