Kryeministri izraelit në ikje, Benjamin Netanyahu, i zgjedhur për të formuar qeverinë e ardhshme, i kërkoi rivalit të tij, Benny Gantz, për t’iu bashkuar në krijimin e një kabineti qeveritar të përbashkët.
“Mendoj se duhet të formojmë një qeveri uniteti së bashku”, – deklaroi Netanyahu në lidhje me Gantz-in, duke evokuar për një udhëheqje të përbashkët në një qeveri të zgjeruar uniteti kombëtar.
Presidenti izraelit, Reuven Rivlin, i bëri thirrje kryeministrit në ikje, Benjamin Netanyahu-t, që të përpiqet të formojë qeverinë e ardhshme, pas zgjedhjeve parlamentare që zhytën vendin në një ngërç politik.
“Përgjegjësia për formimin e qeverisë së ardhshme do t’i jepet kryeministrit dhe udhëheqësit të Likud-it, Benjamin Netanyahu-t”, njoftoi Presidenca në një deklaratë.
Presidenti izraelit, Reuven Rivlin mori rezultatet përfundimtare zyrtare të zgjedhjeve të përgjithshme të javës së kaluar, nga të cilat nuk pati asnjë fitues.
Partia “BardheBlu” e udhëhequr nga Benny Gantz, kryesoi duke marrë 33 nga 120 vendet e parlamentit.
Partia e djathtë Likud e kryeministrit Benjamin Netanyahu, fitoi një vend më shumë sesa rezultatet paraprake të treguara, duke marrë 32 vende, pasi gjashtë kuti të votimit u skualifikuan për mashtrime të votuesve.
Duke parë se cili ka më shumë gjasa për të formuar qeverinë, numri i vendeve në aleancat e partive që mbështesin secilin kandidat mbeti i njëjtë, me Netanyahu-n që kryeson me një vend. 55 deputetë të së djathtës dhe bllokut fetar kanë miratuar Netanyahu-n dhe 54 nga partitë në bllokun e qendrës së majtë kanë mbështetur Gantz-in.

