Avokatët e një informatori, ankesa e të cilit nxiti nisjen e procedurave për shkarkimin e presidentit amerikan, Donald Trump, thanë se fjalët e Trumpit po rrezikojnë klientin e tyre.
Që nga java e kaluar kur është bërë publike transkriptimi i bisedës së tij telefonike me presidentin e Ukrainës, Trump ka kërkuar që informatori anonim të bëhet publik.
Letra nga ekipi ligjor i informatorit, në të cilin avokatët i kushtojnë vëmendje gjuhës së Trumpit, iu dërgua ushtruesit të detyrës së drejtorit të Inteligjencës Kombëtare, Joseph Maguire.
“Ngjarjet e javës së kaluar i kanë ngritur shqetësimet tona se identiteti i klientit tonë do të zbulohet publikisht dhe se, për pasojë, klienti ynë do të vihet në rrezik”, shkroi avokati Andrew Bakaj.
Letra përmend në mënyrë specifike thirrjen e Trumpit që informatori të zbulohet, ashtu si edhe personi që i ka dhënë atij informacione për bisedën me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky.
Informatori ka zbuluar se Trump i ka kërkuar Zelenskyt të hetojë për korrupsion rivalin e tij politik, Joe Biden, dhe djalin e tij.
Kjo bisedë telefonike është tani në qendër të hetimeve që kanë nisur demokratët e që mund të përfundojnë me largimin e presidentit nga zyra.
Demokratët kanë thënë se informatori do të dëshmojë para Kongresit “shumë shpejt”, pasi të merren hapat e nevojshëm për mbrojtjen e identitetit të tij./real-news.tv/

