Në lidhje me raportin për veprimet e Presidentit Meta për zgjedhjet e 30 qershorit ka folur edhe Presidenti i Komisionit të Venecias Gianni Buquicchio, në një intervistë të shkurtër për “A2CNN”.
Ai theksoi se është në dorë të politikës shqiptare për të kuptuar nëse presidenti Meta duhet shkarkuar apo jo pas konstatimeve se kreu i shtetit shqiptar ka tejkaluar kompetencat kushtetuese për dekretimin e një tjetër date për zgjedhjet lokale.
“Opinioni thotë se kishte një shkelje por nuk ishte, sipas Komisionit, aq serioze sa të përbënte arsye për shkarkim të Presidentit. Tani është një çështje politike, por unë shpresoj se shqiptarët do të jenë të zgjuar. Që të gjithë, nga Presidenti te Qeveria, te Parlamenti deri te opozita, ajo brenda dhe jashtë Parlamentit. Të gjithë në Shqipëri duhet të marrin përgjegjësitë e veta, në interes të vendit dhe popullit”, deklaroi kreu i Komisionit të Venecias.
Kreu i KV-së e njeh Shqipërinë prej vitesh dhe duke parë krizat e shpeshta politike bëri apel që të nisë dialogu mes partive politike, sepse nevojitet vendosja e stabilitetit. “Tashmë opinioni u miratua. Unë bëra thirrje në fund të takimit që të gjitha forcat politike në Shqipëri të nisin një dialog të vërtetë, sepse ju keni nevojë për stabilitet, keni nevojë të bëheni bashkë për të mirën e shqiptarëve. Politika është politikë, por e rëndësishme është vullneti i shqiptarëve për t’u integruar në Bashkimin Europian. Ju keni konsumuar kaq shumë kohë me konflikte politike”, foli për nevojën e dialogut mes partive politike në Shqipëri kreu i Komisionit të Venecias Gianni Buqucchio.

