Kreu i lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, deklaroi se presidenti Hashim Thaçi do të bënte mirë të tërhiqej sepse populli ka vendosur për ndryshime.
Duke shprehur se presidenti Thaçi me përgjegjësi politike dhe me ndërgjegje qytetare do të duhej të shkonte vetë, Kurti shtoi se nuk është prioriteti i tij shkarkimi i presidentit.
“Thaçi do të bënte mirë të tërhiqej se populli ka vendosur për ndryshim. Nuk është gjendja e shkurtit të vitit 2016 kur presidenti aktual u zgjodh president. Ka ndryshuar diçka në Kosovë. Me përgjegjësi politike dhe me ndërgjegje qytetare do të duhej mbase të shkojë vetë. Por nëse se bën këtë gjë, atëherë ne shpresojmë se do të komunikojmë dhe të bashkëpunojmë sa ta formojmë qeverinë, sepse nuk mund ta kemi top prioritet largimin e tij. Por, do të bënte mirë të largohej”, tha Kurti.

