Komisioni Qendror i Zgjedhjeve diskutoi ditën e sotme për aktgjykimin e Gjykatës Supreme për numërimin e fletëvotimeve të votuesve jashtë Kosovës.
Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, tha se në bazë të vendimit të Gjykatës Supreme jemi të detyruar të numërojmë fletëvotimet nga diaspora.
“Në bazë të këtij aktgjykimi jemi obliguar që t’i numërojmë fletëvotimet nga diaspora. E kemi obligimin dhe nuk mendoj që kemi çka të diskutojmë. Na pëlqeu, nuk na pëlqeu do ta zbatojmë”, tha ajo.
Anëtari i PDK-së në KQZ, Ilir Gashi tha se me këtë vendim ka ndryshuar ligji për zgjedhje.
“Me këtë vendim ka ndryshuar ligji për zgjedhje. Çka do të bëjmë me 1 mijë e 700 pako që kanë ardhur me 17 tetor”- tha ai.
Anëtari i LDK-së Sami Hamiti, gjithashtu u shpreh kundër vendimit të gjykatës.
“Është një vend që është në kundërshtim me ligjin për zgjedhjeve. Me atë logjikë duhet të shikohet mos ka mbetur ndonjë kompani tjetër pa i pru votat. Procesi deri ditën e votimit ka shkuar mirë, tash jemi duke e bastardua”, tha ai.
Anëtari i VV-së, Adnan Rrustemi, e konsideroi të drejtë vendimin.
“Aktgjykimi nuk mund të diskutohet, unë konsideroj që është një vendim i drejtë. Në rastin konkret, aktgjykimi flet për principin e pranueshmërisë së fletëvotimeve”-tha ai.

