Këtë të dielë pritet të përfundojë rinumërimi i të gjithë vendvotimeve të kontestuara, ndërsa, nga mesi i javës kryhet çertifikimi i zgjedhjeve.
Në Qendrën e Numërimit të Rezultateve të zgjedhjeve akoma po vazhdon rinumërimi i vendvotimeve në të cilat u konstatuan parregullsi, ndonëse procesi duket se po i afrohet fundit. Zyrtarët thanë se rinumërimi i mbi 1400 vendvotimeve pritet të përfundojë këtë të dielë për t’i lënë më pas vend çertifikimit të rezultateve që do të mundësonte edhe “formalizimin e koalicionit qeverisës ndërmjet lëvizjes Vetëvendosja dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK)”.
Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, thotë se pas përfundimit të rinumërimit, KQZ-ja është e gatshme të çertifikojë menjëherë rezultatin e zgjedhjeve. “Pasi të përfundojë rinumërimi që tashmë është nga fundi, sipas vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, (PZAP) më nuk ka afat të ankesave. Pra, afati i fundit është në ditën e fundit të rinumërimit të vendvotimeve dhe pas kësaj, nëse nuk ka ndonjë ankesë tjetër, ne jemi të gatshëm që t’i certifikojmë rezultatet”, thotë Valdete Daka.

