Kryeministri në largim, Ramush Haradinaj, ka porositur kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtin, që të gjejë formulën për të krijuar shumicën parlamentare në mënyrë që t’i jepet fund epilogut për formimin e qeverisë së re.
Haradinaj mendon se është koha e fundit që Kurti si fitues i zgjedhjeve të deklarohet se çka propozon për gjendjen e krijuar, pasi Kosova po rrezikon shumëçka për shkak të vazhdimit të takimeve pa kufij. Në të kundërtën Haradinaj kërkon nga Kurti që të hapë rrugë për opsione të tjera.
“Unë pres nga z. Kurti që t’i thërret ndërgjegjes së vet. Ose ta gjen formulën me bë shumicën, në këtë rast me LDK-në, sepse unë s’jam palë e negociatave, ose të hapë rrugë. Të deklaron çka i propozon Kosovës fituesi i zgjedhjeve në këtë rast. Le të deklaron për çka është. A është për një qeveri teknike, a është për një qeveri tjetër, a është për të shkuar në zgjedhje. Por diçka duhet t’i thotë Kosovës nuk mund ta mbajë vjerr. Nuk po e them këtë me nxënë ngushtë Kurtin, sepse Kosova është e zënë ngushtë. Detyra e qeverisë janë në krizë, shiheni procesin. Unë jam i detyruar t’i them këto për shkak se unë më së miri e di se jam kryeministër në detyrë dhe jam përgjegjës. Dhe unë po i tregoj z.Kurtit se nuk është mirë të vonohet. Të lutëm mos u vono, ose krijo shumicën, ose jepi epilog kësaj gjendjes. Sepse jemi ka rrezikojmë më shumë sesa një parti. Pra jemi ka e rrezikojmë funksionimin e vendit”, thotë kryeministri në largim.
Sipas Haradinajt çdo vonesë në formimin e qeverisë do të ketë pasoja për vendin. Ai thotë se si kryeministër në largim po e ka vështirë mbarëvajtjen e qeverisë, pasi që nuk po ka fuqi vendimmarrëse.
Përveç të pakuptueshme, zgjatjen e formimit të qeverisë, Haradinaj po e vlerëson si shumë të rrezikshme dhe për këtë përgjegjës po e bën vetëm Albin Kurtin dhe VV-në si parti fituese të zgjedhjeve të 6 tetorit.
Pavarësisht që për mosarritje të marrëveshjes së koalicionit po shihen edhe kërkesat e tepruara të LDK-së, Haradinaj përgjegjës kryesor dhe të vetëm për formimin e qeverisë po e konsideron Albin Kurtin.
“Ajo çka më shqetëson është mbajtja peng e procesit. Sot është një situatë shumë e qartë. Mos harroni nuk e them këtë pse është z.Kurti edhe pse kam deklaruar se çka mendoj për të, por sikur të ishte çdo parti edhe AAK-ja, parimisht kisha deklaruar se s’bën ta mbajmë peng vendin pa epilog. Duhet t’i japim përgjigje vendit për shkak se jemi në gjysmë të janarit gati dhe për shkak që janë procedura kohore çështja e buxhetit. Nuk është përgjegjësia te partia e dytë, por në sistem tonin përgjegjësinë me krijua institucione e ka vetëm Albin Kurti dhe VV-ja. Por nuk mundesh ti sot me ju thënë partive. Nuk është duke formuar qeveri LDK-ja, ajo i bashkohet një qeverie. Përgjegjësia bie mbi z. Kurtin, ai duhet të dijë t’i akomodon të gjithë ata me të cilët do me bë shumicën parlamentare”, pohoi Haradinaj.

