Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, ka deklaruar sot se, Shqipëria është përfshirë në nismën e Organizatës Botërore të Shëndetësisë “Public Health Emergency Solidarity Trial”, për t’u bërë pjesë e një studimi klinik ndërkombëtar, për optimizimin e protokolleve për trajtimin e COVID19.
“Për trajtimin e pacientëve me COVID-19 po ndiqen protokollet si në vendet e tjera, përdorim po ato linja trajtimi. Shqipëria për herë të parë do të jetë pjesë e një studimi të madh klinik, “solidarity trial”, iniciuar nga OBSH. Do jemi pjesë e një skuadre botërore për hetimin klinik duke përfshirë antiviralët dhe hydroxychloroquine”, tha ministrja.
Në lidhje me testimin, Ministrja Manastirliu deklaroi se strategjia e testimit vendoset nga ekspertet dhe se gjurmimi epidemiologjik kryhet sipas standardeve.
“Ne nuk kemi probleme me kapacitetet. Kemi aktualisht dhe kemi porositur edhe 30 mijë teste të tjera. Por strategjinë e testimit e vendosin ekspertët. Ne po zbatojmë rekomandimet e OBSH-së për testim testim testim për çdo rast të dyshuar”, tha Manastirliu.

