Në të gjithë Shqipërinë nesër zhvillohet provimi i parë i Maturës Shtetërore. Në lidhje me këtë rast ministrja e Arsimit Besa Shahini i ka uruar suksese të përzemërta, duke e cilësuar një sukses mbylljen e vitit shkollor pas situatës së krijuar nga tërmeti shkatërrues dhe pandemia vdekjeprurëse.
“Arritëm ta mbyllim këtë vit të vështirë shkollor, falë qëndrueshmërisë së nxënësve, durimit të prindërve dhe përkushtimit të jashtëzakonshëm të mësuesve tanë që brenda një kohë të shkurtër e përballën me sukses realitetin e krijuar nga tërmeti shkatërrues dhe pandemia vdekjeprurëse.
Mirënjohje të veçantë për secilin prej jush!
Tashmë jemi në atë “fazën finale të maratonës” për maturantët tanë, të cilët ditën e nesërme kanë provimin e parë të Maturës Shtetërore. Suksese të përzemërta secilit prej tyre në çdo provim dhe i dëshiroj gjithë të mirat në rrugëtimin e tyre jetësor”, shkruan ajo.

