Ministrja e Arsimit, Besa Shahini ka bërë një postim në Facebook sot, ku bën me dije disa detaje në lidhje me fillimin e vitit të ri shkollor si dhe fokusi për fëmijët me aftësi të kufizuara. Teksa ka zhvilluar sot një takim me përfaqësues të shoqatave që kanë në fokus këtë targetgrup, Shahini ka treguar pikat kryesore që do të ndërmerren për këta nxënës me AK.
Mesazhi i Shahinit:
Me përfaqësues të shoqatave që kanë në fokus fëmijët aftësi të kufizuara, ditën e sotme diskutuam mbi mënyrat më të mira të zbatimit të udhëzuesit për fillimin e vitit të ri shkollor.
Mbajtja e maskave në shkollë, distancimi fizik e social, kujdesi i shtuar në respektimin e rregullave anti-COVID, mësimi në kushte shtëpie etj., janë tema që kërkojnë vëmendje maksimale dhe një tjetër lloj përkushtimi kur bëhet fjalë për nxënësit me AK në sistemin e arsimit parauniversitar.
Si #MASR, e cila ka përherë prioritet gjithëpërfshirjen, ne jemi të përgatitur që edhe në kushtet e vështira në të cilat po punojmë sot, të ofrojmë cilësinë më të mirë arsimore për nxënësit me AK.
#gjithëpërfshirje

