Ministria e Shëndetësisë ka bërë një njoftim sot gjatë deklaratës për media, në lidhje me fillimin e vitit të ri shkollor.
Dr. Flutura Beqo ka një apel për mësuesit, nxënësit si dhe prindërit. Ajo thekson se duhet një bashkëpunim dhe kontribut i nxënësve e prindërve bashkë me mësuesit që të frenohet përhapja e COVID-19.
”Nisja e vitit të ri shkollor është një sfidë për strukturat arsimore dhe shëndetësore, të cilat janë në gatishmëri, por kërkohet kontributi dhe bashkëpunimi i nxënësve e prindërve, mësuesve, për të zbatuar rregullat e vendosura dhe për të sinjalizuar në kohë cdo rast të dyshuar, për të frenuar përhapjen e COVID19.
Prindërit duhet t’i masin çdo ditë temperaturën fëmijës para se të niset për në shkollë.
Për çdo shqetësim, mësuesit duhet të kontaktojnë koordinatorin e shkollës, i cili sinjalizon menjëherë strukturat shëndetësore. Ndërsa nxënësit, nëse gjatë qëndrimit në klasë kanë një shqetësim nga ana shëndetësore, të lajmërojnë menjëherë mësuesin e tyre.
Të gjitha institucionet arsimore që sot kanë filluar mësimin duhet të zbatojnë me rigorozitet Udhëzimin mbi masat anti-COVID19 me qëllim parandalimin e përhapjes së virusit CARSCOV2.
Strukturat e sistemit shëndetësor janë në gatishmëri për t’ju përgjigjur çdo problematike, si dhe për të identifikuar dhe izoluar në kohë çdo rast të dyshuar.”– thotë Flutura Beqo.

