Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ka bërë me dije se 600 mjekë dhe 2400 infermierë u punësuan me transparencë në 2 vite.
Ajo theksoi se pavarësisht situatës nga pandemia, puna ka vijuar.
“Pavarësisht situatës së epidemisë në vend, që vijon të jetë një situatë serioze dhe për të cilën puna nuk ka ndalur për asnjë moment, puna nuk ka ndalur edhe për të vijuar investimet në shëndetësi, siç e kemi premtuar dhe po e bëjmë realitet për qytetarët. 40 qendra shëndetësore dhe ambulanca rehabilituam në 2 vite vetëm në qarkun e Tiranës”,- tha Manastirliu.
Ministrja e Shëndetësisë deklaroi se nëpërmjet dy instrumenteve portalit ‘Infermierë për Shqipërinë’ dhe ‘Mjekë për Shqipërinë’ ka vijuar pa u ndalur edhe fuqizimi i burimeve njerëzore në dy vitet e fundit, në bazë meritokracisë dhe transparencës. “Janë më shumë se 600 mjekë dhe rreth 2400 infermierë të punësuar me meritë dhe transparencë në këto dy vite”,- tha Manastirliu.

