Në lidhje me ndarjen nga jeta në moshën 85-vjeçare të një nga shkrimtarët e mëdhenj të letërsisë shqipe: Faslli Haliti, ka reaguar edhe Presidenti Ilir Meta.
Me anë të një postimi në rrjetet sociale Meta shprehet se Haliti ishte shembull i qytetarisë e luftëtar i palodhur dhe i pakompromis i fjalës e mendimit të lirë.
Postimi i plotë:
Pikëllues lajmi për ndarjen nga jeta të shkrimtarit e poetit tonë të mirënjohur, Faslli Haliti, intelektualit të angazhuar me vlera kombëtare, shembull i qytetarisë e luftëtar i palodhur dhe i pakompromis i fjalës e mendimit të lirë, duke provuar deri dënime për mbrojtjen e saj.
Kam patur fatin ta njoh nga afër edhe si ish-deputet i PS, dhe i ruaj me nostalgji kujtimet për periudhën kur bashkëpunuam në politikë si pjesë e ish-grupit parlamentar socialist, ku padyshim Faslliu spikaste me individualitetin e tij mes deputetëve të PS që vinin vetëm nga radhët e intelektualëve e profesorëve.
Të paharruara kanë mbetur për mua vargjet e një prej poezive të tij më të arrira “Për mirë”:
“Gati
Për rënie,
Për shembje,
Rrëzim.
Monument shtrembës!
Shembu, rrëzohu më mirë!”
Për këtë humbje të madhe e të pazëvendësueshme ju shpreh ngushëllimet më të ndjera familjes Haliti, bashkëpunëtorëve dhe mbarë komunitetit të artistëve e shkrimtarëve shqiptarë.
U prehtë në paqe!

