Kreu i qeverisë Edi Rama ka deklaruar pak më parë se është fatkeqësi që vendi ka një president si Ilir Meta.
“Është fatkeqësi që përshkallëzimi i dhunës verbale dhe i marrëzisë nga ana e Ilir Metës po ndodh shumë përpara kohe, nuk e di se ku do të shkojë, kaq herët sa ka filluar, se nuk është hera e parë.
Realisht është shumë e turpshme për të gjithë ne që të kemi një individ në presidencë, një individ që ka dalë nga të gjitha shinat e funksionit të tij, dhe e ka vendosur veten në funksion të një force të degraduar, siç është partia nga ai vjen”, u shpreh Rama.
I pyetur nga gazetarët lidhur me krijimin e Gjykatës Kushtetuese, që është një nga kushtet themelore që ka vendi ynë për të ecur më tej në procesin e anëtarësimit në BE, Rama tha se mazhoranca do të bëjë gjithçka që është në dorën e saj, që ky kusht të përmbushet sa më parë.
“Nuk ka asnjë detyrë të drejtpërdrejtë qeveria për plotësimin e vakancave në kushtetuese, pasi sistemi është i pavarur prej nesh”, u shpreh Rama para gazetarëve.

