Sërish janë gjobitur shumë qytetarë, të cilët janë kapur nga policia pa maska në vende publike. Madje, ka edhe nga ata që edhe kanë thyer izolimin nga ora 22:00 deri në 06:00.
Raportohet se së fundmi janë gjobitur 592 qytetarë, të cilët kanë qenë të papajisur me maska.
Gjatë kësaj kohe është gjobitur dhe një lokal me 1.000.000 lekë për mosrespektimin e masave anticovid.
Nga qytetarët e gjobitur për maskat, 6 prej tyre janë dërguar në komisariat pasi kanë refuzuar të tregojnë një mjet identifikimi. Pasi u shoqëruan në polici, ata u identifikuan, u gjobitën e më pas u lanë të lirë.
Policia gjithashtu ka gjobitur edhe 9 qytetarë të cilët u konstatuan duke lëvizur pas orës 22:00 pa autorizimin përkatës. Ata janë gjobitur në masën 10.000 lekë.

