Drejtori i Përgjithshëm për Fqinjësi dhe Zgjerim në Bashkimin Evropian, Christian Danielsson do të vijë sot në Tiranë, ku pritet të zhvillojë takime me kryeministrin Edi Ramën dhe kreun e PD-së, Lulzim Bashën së bashku me aleatët tek zyrat e BE-së në Tiranë.
Pas pak drejtuesi i Zgjerimit dhe Fqinjësisë do të takojë shefin e qeverisë, Edi Ramën, ndërsa takimin me Bashën do ta zhvillojë pas orës 10:00.
Qëndrimi i Christian Danielsson në Tiranë vjen pas krizës politike mes palëve, sidomos pas vendimi të opozitës së bashkuar për të djegur mandatet e deputetit. Në orën 12:00, zyrtari i Brukselit pritet të dalë në një deklaratë me gazetarët dhe aty do të shpreh publikisht qëndrimet që ka ai për krizën politike në Shqipëri.
Kjo është një lëvizje e Bashkimit Europian për të përafruar palët me qëllim gjetjen e një konsensusi, i cili do t’i shërbejë vijimit të reformave, në kohën kur Shqipëria pret që në qershor të hapen negociatat me familjen e madhe të BE-së.

