Presidenti i SHBA Donald Trump shprehu ngushëllimet dhe ofroi ndihmën e administratës së tij për popullin e Zelandës së Re pas sulmeve vdekjeprurëse në dy xhami në Christchurch, duke e quajtur ngjarjen “një masakër të tmerrshme”.
Nënpresidenti Mike Pence shprehu gjithashtu ngushëllimet në Twitter duke dënuar “ fuqimisht këtë sulm ndaj njerëzve të besimit”.
Në një deklaratë, Shtëpia e Bardhë tha se “dënon fuqimisht” sulmin, duke e quajtur një “veprim të egër urrejtjeje”.
Sulmi gjatë lutjeve të së premtes la 49 të vdekur dhe dhjetra të plagosur. Kryeministrja e Zelandës së Re, Jacinda Ardern e dënoi aktin si terrorizëm.
Këshilltari i Sigurisë i Shtëpisë së Bardhë, John Bolton e cilësoi ngjarjen si “diçka që duket të jetë një sulm terrorist” dhe një “krimi urrejtjeje”. Ai tha se Shtetet e Bashkuara janë në kontakt nga shumë afër me autoritetet e Zelandës së Re dhe ambasadën e saj në Wellington.
Gjatë një konferencë për shtyp të premten, Sekretari i Shtetit i SH.BA-së Mike Pompeo tha se Uashingtoni e dënon sulmin dhe i shprehu lutjet e popullit amerikan.
“Ne premtojmë solidaritetin tonë të palëkundur me qeverinë dhe njerëzit e Zelandës së Re në këtë orë të errësirës”, tha Pompeo./real-news.tv/

