Kukësi priste sot Partizanit në një ndeshje e cila ishte vendimtare për titullin kampion. Kryendeshja e javës së 26 është mbyllur me një barazim 1-1, rezultat i cili nderon të kuqtë që ecin me diferencë në drejtim të titullit.
Në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës, ishin tifozët e kuq ata që dominonin në numër dhe në garën për koret mbështetëse të skuadrave respektive, ndërsa sfida nisi me lojtarët që mbanin mbishkrimin “ME TY” në faqe, për të dhënë një mesazh kundër dhunës ndaj grave.
Pjesa e parë u karakterizua nga një luftë mjaft e fortë në mesin e fushës, ku përveç Kukësit që kërkonte të kishte iniciativën, vihej re edhe zbritja e shpejtë e kryeqytetasve, me kundërsulme.
Por në pjesën e dytë erdhën golat. Në minutën e 55-të, Valdet Rama fitoi një goditje dënimi mbi vijën e 16 metrave dhe ishte pikërisht sulmuesi nga Mozambiku, Reginaldo, që ekzekutoi në mënyrë mjeshtërore, duke çuar topin në rrjetën e portierit Alban Hoxha.
Vetëm pak minuta më vonë, Jasir Asani i vodhi kohën kapitenit të Kukësit, Ardian Cuculi dhe e detyroi këtë të fundit t’i bëjë faull në zonë, ndërsa arbitri Jorgji akordoi 11-metërsh për Partizanin.
Penalltinë e mori përsipër ai që e fitoi, Jasir Asani, i cili gjuajti saktë dhe mposhti portierin Frashëri, duke rikthyer baraspeshën në rezultatin e takimit.
Tashmë Partizani vijon me 9 pikë diferencë ndaj veriorëve kur kanë mbetur edhe 9 javë nga fundi.

