Ekipi kombëtar i peshëngritjes po stërvitet në kuadër të kampionatit Evropian i cili ngre siparin më 6 prill në Gjeorgji. Erkand Qerimaj pas paraqitjes shumë të mirë në Kupën e Shqipërisë, ku u cilësua edhe sportisti më i mirë i aktivitetit duket se po kalon një moment pozitiv të karrierës.
Larg kryeqytetit në fshatin Shtërmen stërviten dy sportistë të tjerë të kombëtares, kampioni i Europës në fuqi Briken Çalja dhe sportisti nga Elbasani Endri Karina.
Endri Karina rikthehet pas më se dy vitesh mungesë pas një dëmtimi që ka kaluar në gju. Paraqitja e tij e mirë në aktivitetet e fundit vendase e ka bërë gjithashtu optimist për sfidën e Gjeorgjisë.
Ekipi kombëtar i peshëngritjes do të ketë në përbërjen e tij 5 sportistë, Erkand Qerimaj, Daniel Godalli, Briken Çalja, Endri Karina dhe Krenar Shorja.

