Zv/kryeministri Erion Braçe ka prezantuar sot Artan Lamen si drejtor të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, institucioni i sapokrijuar që bashkon Hipotekat dhe ALUIZNI-n.
Braçe tha se duhen zgjidhur problemet me pronat dhe certifikimin e tyre. “Është një betejë që do vazhdojë për të përfunduar procesin e legalizimi të objekteve të paligjshme kudo që ndodhen, në periferi apo zona të populluara dhe ajo përvojë duhet të shërbejë për të çuar para proceset që kemi nisur.
Dua të falënderoj zotin Lame dhe të gjithë kontributorët e tjerë. Dua të falënderoj edhe të gjithë drejtuesit e deri sotëm të ZRPP që kanë përballuar një fluks të jashtëzakonshëm në punë për certifikimin e pronave të qytetarëve të Republikës së Shqipërisë. Qoftë ato nga procesi i legalizimeve qofshin toka bujqësore”, – tha Braçe, duke shtuar se do ta ndjekë vetë mbarëvajtjen e punës në këtë institucion.
Ndërsa Lame prezantoi tre drejtimet ku do të shtrihet reforma duke kërkuar dhe suportin e qytetarëve.

