Një grabitje në aeroportin ‘Nënë Tereza’ ndodhi gjatë ditës së sotme, ku tre autorët kanë qenë duke lëvizur me një furgon të bardhë me një mbishkrim sipër ‘Hetimi tatimor’. Mësohet se ata kanë qenë menjëherë pas makinës që transportoi paratë për në avion, ku grabitësit kanë vepruar duke marrë paratë dhe duke u larguar me shpejtësi nga vendngjarja.
Gjatë largimit, ata janë ndeshur me forcat speciale, ku kanë qëlluar me kallashnikov.
Pikërisht, në këtë moment ndërroi jetë edhe njëri prej autorëve.
Nga ana tjetër, është zbardhur edhe dëshmia e pasagjerëve të cilët ndodheshin në avion. Ata kanë bërë me dije se autorët ishin veshur me uniformë si komando dhe menjëherë kanë kërcënuar ekipin e avionit. Për kujtesë, paratë po transportoheshin nga Tirana drejt Vjenës.
“Avioni ishte i ndezur dhe pamë nga ana e djathtë e avionit tre persona me kapuçë në kokë, të veshur si komando të afroheshin tek barku i avionit. Kujtuam se bëhej fjalë për një stërvitje. Ata kanë kërcënuar me kallashnikov punonjësit dhe i urdhëruan të shtrihen”, tha njëri prej pasagjerëve./real-news.tv


