Grabitja e milionave eurove të ditës së djeshme ka zgjuar një debat shumë të rëndësishëm në vend në lidhje me sigurinë kombëtare, e cila është cenuar rëndë pas asaj që ndodhi në Aeroportin e Rinasit.
Ndërkohë që eksponentë të rëndësishëm të qeverisë kanë akuzuar koncesionarin e aeroportit, për mungesë të theksuar përgjegjshmërie dhe investimesh.
Kryeministri Rama është shprehur se kompania kineze që bleu aeroportin nga e mëparshmja, dështoi po njësoj në garantimin e sigurisë. Sipas tij shteti shqiptar s’do pranojë asnjë justifikim nga kompania, por do marrë kontrollin e sigurisë.
Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj, paralajmëroi marrjen e masave ligjore kundrejt koncesionarit që sipas tij, shpesh herë as nuk ka denjuar të kthejë përgjigje në korrespondencat që institucionet kanë shkëmbyer pas grabitjes së mëparshme të ndodhur në Rinas.
Ndërkohë që më larg shkoi ministrja e Mbrojtjes Xhaçka, e cila paralajmëroi se ushtria do të patrullojë në perimetrin e aeroportit, pasi sipas saj siguria kombëtare është më e rëndësishmja.
Totalisht ndryshe kanë qenë reagimet nga ana e opozitës, të cilët kanë akuzuar qeverinë dhe Kryeministrin Rama se e kanë shndërruar Shqipërinë në një vend ku krimi nuk ka frikë. /real-news.tv/

