fbpx

A duhet të përdoren bombolat e oksigjenit në shtëpi nga pacientët? Ja ç’thotë mjeku

Mjeku shqiptar në Itali, Albert Troci ka folur për Abc News në lidhje me situatën nga pandemia. Ai ka dhënë edhe disa detaje gjithashtu për bombolat e oksigjenit. Mjeku kërkoi që të bëhet shumë kujdes dhe të mos përdoret pa dijeninë e mjekut.

“Oksigjeni që përdoret është oksigjen sanitar, steril, i kontrolluar për përdorim spitalor. Duhet të jetë i kontrolluar nga organet, të palejuara, nuk i këshilloj. Oksigjenimi është terapi dhe nuk është se mund ta përdorim vetë duke mos ditur disa të dhëna mjekësore që duhet të jepen nga mjeku apo një infermier që ndjek një pacient në shtëpi, që nuk ka nevojë për ndihmë intensive, por oksigjeni mund të jepet në flukse shumë të ulëta. Një pacient që ka nevojë për 4 litra mund të qëndrojë në shtëpi, ndryshe ka nevojë për ndihmë spitalore”.

Po a mund të dëmtojë përdorimi pa masë i oksigjenit?

“Hiper-oksigjenimi kur nuk është i domosdoshëm shkatërron, është dëmtuese për shëndetin. Nëse përdoret në shtëpi duhet të ketë matje të oksigjenit në gjak. Duhet të jeni përherë të lidhur me mjekun e familjes” tha ai. Ai kishte edhe një këshillë për përdorimin e ilaçeve. “Ilaçet mund të çojnë në hemorragji nëse nuk përdoren në masën e duhur”. “Vaksina nuk do të jetë e gatshme për të luftuar këtë valën e dytë. Besoj nga fillimi i pranverës mund ta kemi vaksinën për ta përdorur në popullatë” u shpreh më tej ai.