Pezullimi këtë muaj nga Shtëpia e Bardhë të akreditimit të një gazetari, po kritikohet nga mbrojtësit e lirisë së shtypit. Ata thonë se ky është një shembull i përpjekjeve të administratës së Presidentit Donald Trump për të heshtur gazetarët dhe zërat e tjerë kritikë.
Sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Stephanie Grisham, pezulloi për 30 ditë kredencialet e korrespondentit të revistës Playboy, njëkohësisht edhe analist i kanalit CNN, Brian Karem. Masa u mor pasi në përfundim të një takimi për mediat sociale, z. Karem u përfshi në një shkëmbim me tone të larta me ish-këshilltarin e Presidentit Trump, Sebastian Gorka, i cili drejton një emision radiofonik.
Ky është rasti i dytë që Shtëpia e Bardhë tërheq akreditimin e një korrespondenti, ndërkohë që Presidenti Trump vazhdon të denigrojë organet mediatike duke i quajtur ato “fake news” dhe “armiq të popullit”, duke inkurajuar kështu edhe mosbesimin tek mediat.
Nëntorin e kaluar, Shtëpia e Bardhë ndërmori hapin e pazakontë për epokën moderne, të heqjes së kredencialeve për korrespondentin e kanalit CNN, Jim Acosta, vetëm pak orë pasi ai pati një shkëmbim sfidues me Presidentin Trump gjatë një konference për shtyp në Shtëpinë e Bardhë.
Tashmë, zoti Karem ka paditur Presidentin Trump dhe zëdhënësen Grisham, për shkeljen e të drejtave të tij kushtetuese, dhe i kërkoi gjykatës federale në Uashington që t’i rikthejë kredencialet e tij të akreditimit.

