Rreth 1 muaj nga vrasja e dyfishtë e vëllezërve Bilali në qytetin e Shkodrës, Policia ka arrestuar dy nga autorët e ekzekutimit në derën e shtëpisë të Astrit dhe Brahim Bilalit, 59 dhe 61 vjeç, ngjarje e ndodhur më 30 mars 2019.
Në një operacion policor të koduar “Livadhe”, me emrin e lagjes ku u ekzekutuan me breshëri plumbash vëllezërit, u bë i mundur arrestimi i dy autorëve të dyshuar, ndërsa janë shpallur në kërkim dy persona të tjerë.
Arsen Stojku 29 vjeç dhe Mylslym Rama 23 vjeç, të dy banues në fshatin Mjedë të Vaut të Dejës, u arrestuan nga policia me urdhër të prokurorisë lëshuar më 25 prill.
Të dy akuzohen për vrasje me paramendim kryer në bashkëpunim dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”.
Ndërkohë, në kërkim është shpallur një 26-vjeçar, me inicialet I.L si i dyshuari kryesor për veprën penale të vrasjes.
Ndërkohë një 29-vjeçar me inicialet D.B është shpallur në kërkim pasi dyshohet të ketë përkrahur autorin e krimit në arratisje.
Të katërt, rezulton se kanë planifikuar, organizuar dhe kryer në bashkëpunim këtë vrasje.
Astrit Bilali është babai i Astmer Bilali, i arrestuar si pjesë e grupit “Bajri” në Shkodër, ndërkohë që grupi kundërshtar i tyre janë Licajt. Dyshohet që pikërisht lufta mes këtyre bandave të këtë sjellë viktimat e radhës.
Astrit Bilali ishte një biznesmen i njohur në qytetin e Shkodrës. Kishte në pronësi të tij një resort hipizmi, pasion të cilin ja ka trasëguar edhe djalit të tij, Astmer Bilali.
Ndërkohë edhe Brahim Bilali është ish-kampion i hipizmit, dhe ishte kryetar i Shoqatës ‘2 Prilli’, masakrës së fundit të komunizmit.
Astmer Bilali ish-boksier i Vllaznisë, ra në qendër të vëmendjes së mediave kohë më parë kur mbeti i vrarë në një atentat shoku i tij Arjan Ferracaku teksa kalëronte pikërisht në resortin e Astrit Bilalit.
Në ngjarjen e rëndë, Astmer Bilali ndodhej me Ferracakun kur ai mbeti i vdekur nga plumbat në distancë, dhe u dyshua se ishte pikërisht Bilali shënjestra e autorëve që ngatërruan objektiv.
Të dy ishin duke kalëruar në resortin e hipizmit në pronësi të babait të Astmerit, i ekzekutuar në qendër të Shkodrës bashkë me vëllain e ti.
Pak metra larg vendit ku u vranë vëllezërit Bilali, në një rrugicë të lagjes, autorët dogjën makinën e krimit me targë AA369RV.
Forcat zjarrfikëse bënë të mundur shuarjen e flakëve duke mos lejuar djegien e plotë të makinës.
Kjo ishte një shenjë e mirë për policinë kriminale, e cila mund të ketë ndihmuar hetuesit në gjetjen e gjurmëve të autorëve nga fakti që makina nuk është shkrumbuar.
Njoftimi i plote i Policise se Shkodres
Zbardhet vrasja e dyfishtë, e ndodhur më 30 mars 2019, ku mbetën të vrarë dy vëllezër.
Finalizohet operacioni policor i koduar “Livadhe”
Operacioni me metoda speciale të hetimit nga DVP Shkodër, Drejtoria për Krimet e Rënda në Departamentin e Policisë Kriminale, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër
Në pranga dy persona si autorë të dyshuar të vrasjes. Shpallen në kërkim dhe dy persona të tjerë.
Në lidhje me zbardhjen e ngjarjes së ndodhur në 30 mars 2019 ku mbetën të vrarë dy vëllezër, nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit u ngrit një grup i posaçëm hetimor në bashkëpunim me DVP Shkodër dhe nën drejtimin e Prokurorisë Shkodër.
Si rezultat i një pune të mirëorganizuar nga ana e DVP Shkodër, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës Së Shkallës së Parë Shkodër, me mbështetjen e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale në Policinë e Shtetit, u zhvillua operacioni policor i koduar “Livadhe” duke u finalizuar me ekzekutimi i urdhrave të ndalimit, datë 25.04.2019, të lëshuara nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër, për ndalimin e shtetasve:
– A. S., 29 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Mjedë, bashkia Vau i Dejës, i dyshuar për veprën penale “Vrasja me paramendim kryer në bashkëpunim” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”.
– M. R., 23 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Mjedë, bashkia Vau i Dejës, i dyshuar për veprën penale “Vrasja me paramendim kryer në bashkëpunim” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”.
U bë shpallja në kërkim e shtetasit I. L., 26 vjeç, si i dyshuari kryesor për veprën penale të vrasjes, si dhe e shtetasit D. B., 29 vjeç, për veprën penale të “Përkrahja të autorit të krimit”. Vijon operacioni për gjetjen dhe kapjen e tyre.
Pas hetimeve intensive të kryera në drejtimin e Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër, rezulton se shtetasit e lartpërmendur kanë planifikuar, organizuar dhe kryer në bashkëpunim këtë vrasje.
Si rezultat i punës së vazhdueshme intensive me metodat speciale të hetimit, nga grupi i posaçëm hetimor, u bë sigurimi i provave materiale dhe shkencore, të cilat çuan në dokumentimin ligjor të kësaj ngjarjeje.
Gjatë veprimeve hetimore u bë sekuestrimi i një automjeti, tre aparateve telefonike celulare, të cilët janë përdorur nga autorët gjatë kryerjes së veprimeve të tyre.
Vazhdon puna për hedhjen dritë mbi motivin e kësaj ngjarjeje dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër, për veprën penale “Vrasja me paramendim kryer në bashkëpunim” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”.

