Basha kujton viktimat e regjimeve totalitare: Shqiptarët kanë paguar shtrenjtë për lirinë

Kryedemokrati Basha ka kujtuar ditën e sotme viktimat e regjimeve totalitare.

Ai me anë të një postimi në Facebook shkruan se askush nuk ka paguar një çmim më të lartë për lirinë në Europë, se sa shqiptarët.

Më tej, ai liston numrin e shqipatrëve të vrarë apo edhe të torturuar si pasojë e arsyeve politike, internimeve dhe ekzekutimeve.

Reagimi i Lulzim Bashës

Sot mbarë Europa kujton Viktimat e regjimeve totalitare. Askush nuk ka paguar një çmim më të lartë për lirinë në Europë, se sa shqiptarët. Sakrifica e shqiptarëve përkthehet në mijëra të ekzekutuar me dhe pa gjyq, për liri, për demokraci, për dëshirën për të ndërtuar një shoqëri të respektit për dinjitetin njerëzor, sipas normave dhe vlerave europiane, për fjalën e lirë, për besimin në Zot.

34,135 shqiptarë janë burgosur dhe dënuar për arsye politike.
59,009 qytetarë u internuan në kampe përqendrimi.
7.022 prej tyre vdiqën prej trajtimit shatazarak.
984 persona kanë vdekur në burgjet e regjimit.
6.027 burra dhe gra, djem dhe vajza u ekzekutuan me dhe pa gjyq gjatë diktaturës.
Nga torturat dhe dënimet e kohës, 308 persona kanë humbur aftësitë mendore gjatë qëndrimit në burgjet e komunizmit.

Krimi komunist shqiptar është krimi më i rëndë komunist në Europë, por akoma më e rëndë se ky krim, është zhdukja e gjurmëve të krimit. Mosgjetja e eshtrave të mbi 4500 të ekzekutuarve me dhe pa gjyq, ka në themel kompleksin e xhelatëve, për të zhdukur bashkë me kundërshtarët e tyre politikë, edhe gjurmët e krimit të tyre.

Kujtesa dhe nderimi për sakrificën e atyre që kanë kontribuar për lirinë dhe kombin, e lartëson një komb. Harresa dhe mosmirënjohja janë rruga drejt shkatërrimit të shoqërisë dhe vlerave bazë të familjes, kombit dhe Atdheut.