Lulzim Basha këtë të hënë do t’u rikthehet protestave kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama.
Pas zgjedhjeve të 30 qershorit, ku mazhoranca socialiste garoi e vetme për të zgjedhurit vendorë, opozita ka vendosur të mobilizohet sërish kundër kryeministrit Rama dhe qeverisë së tij.
Në spotin e publikuar ditën e sotme, Lulzim Basha shkruan se zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë ‘vrarë’ nga drejtuesit e mazhorancës me në krye Edi Ramën, edhe pse në zgjedhjet e fundit vendore, sipas PD 85% e shqiptarëve refuzuan dhunimin e Kushtetutës dhe farsën e votimeve moniste.
Midis protagonistëve të mazhorancës qeverisëse, në këtë spot Lulzim Basha ka përfshirë edhe kryetarin e bashkisë Erion Veliaj, i cili pas zgjedhjeve fitoi edhe mandatin e dytë.
Basha e cilëson Veliajn si pjesë të krimit elektoral të zgjedhjeve të 30 qershorit, edhe pse më parë nuk ka denjuar ta denoncojë për atë që ka bërë në krye të bashkisë së Tiranës në mandatin e tij të parë si kryebashkiak.
Me sa duket, Basha ka filluar të sulmojë në mënyrë frontale duke bërë njësh Veliajn me kryeministrin Rama si autorët kryesorë të farsës së 30 qershorit.
“Më 30 qershor 85% e shqiptarëve refuzuan dhunimin e Kushtetutës. 85% e shqiptarëve refuzuan farsën e votimeve moniste, 85% e shqiptarëve refuzuan politikën e bërë njësh me krimin. 85% e shqiptarëve refuzuan politikat e varfërisë dhe mjerimit. 85% e shqiptarëve refuzuan vjedhjen me ligj, me PPP, me koncesione dhe oligarkë. 85% e shqiptarëve refuzuan Edi Ramën!
Të hënën #8korrik në ora 20:00 bashkohemi të gjithë në Tiranë kundër diktaturës, bashkohemi në mbrojtje të lirisë dhe pluralizmit, bashkohemi për familjet dhe fëmijët tuaj, për #ShqipëriaSiEuropa! Asnjë hap pas! #RamaIk“, shkruan Basha.

