Basha: Shqipëria si Koreja e Veriut

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha e barazoi qeverisjen e Edi Ramës me atë të Koresë së Veriut përsa u përket investimeve të huaja. “Asnjë investim të huaj nuk ka sjellë Rama në Shqipëri në gjashtë vjet. Shqipëria dhe Koreja e Veriut janë dy vendet pa asnjë investim të ri të huaj në 6 vitet e fundit”, tha Basha në Gramsh, ku u takua me strukturat drejtuese të Partisë Demokratike.

Kreu i opozitës shpjegoi pse sipas tij, Rama ka ndjekur një politikë armiqësore ndaj investimeve të huaja në këto 6 vjet. “Dy investimet e fundit të huaja janë Devolli dhe TAP, s’ka më investime të tjera. Të dyja janë kontraktuar në kohën e qeverisjes tonë. Nuk ka më asnjë investim të huaj, i ka përzënë. Pse i ka përzënë? Për të mbrojtur klientët e tij Edi Rama përzuri investitorët e huaj dhe i zëvendësoi me klientët e tij”, tha Basha, duke vënë në dukje se pa investime të huaja, nuk ka as zhvillim, as vende të reja pune, as mirëqenie.

“Me investime të huaja ka konkurencë. Po të ketë investime të huaja, nuk shkon dot 15-fish çmimi i autostradës. Po të ketë investime të huaja nuk grabitet dot haptazi në mes të ditës. Investimet e huaja përbëjnë kërcënim për hajdutët dhe sistemin e hajdutërisë që ka ndërtuar Edi Rama”, u shpreh Basha.