Lideri i opozitës Lulzim Basha ka zhvilluar një takim me banorët e Fushë Arrëz-it nga ku ka deklaruar se Partia Demokratike me aleatët e saj është fituese e zgjedhjeve të lira e të ndershme kurdo që të mbahen ato.
Basha deklaroi se 30 qershori e vërtetoi këtë duke i bashkuar shqiptarët krah opozitës kundër bandës së Rilindjes në pushtet.
“Me 30 qershor Edi Ramën dhe regjimin e tij e kanë braktisur edhe socialistët e ndershëm. 30 qershori është dita e bashkimit më të madh “Rama ik”, por është edhe një klithmë, një kushtrim për ndryshim,” – nënvizoi gjatë takimit me strukturat e PD, kryetari Basha.
Basha kërkoi nga demokratët që ti përgjigjen thirrjes së shqiptarëve që duan ndryshimin e madh. ” Prej nesh shqiptarët kërkojnë më shumë se denoncime, më shumë se përballje, kërkojnë më shumë siguri për të nesërmen dhe rrugën e ndryshimit të vërtetë ku gjithkush do të jetë më mirë. Tani ka ardhur koha ti ofrojmë shqiptarëve rrugëdaljet nga kjo krizë e tmerrshme dhe ta shndërrojmë shumicën 85 përqind “Rama ik”, në shumicën e re qeverisëse që do ti prijë transformimit ekonomik dhe politik të vendit“, shprehu vendosmërinë e tij dhe të opozitës së bashkuar, kryeopozitari Basha.
/real-news.v/

