Bashkimi Europian është pranë formimit të një aleance të re mbrojtjeje që anashkalon NATO-n. Gjermania, Franca dhe Spanja nënshkruan të hënën marrëveshjen kornizë për zhvillimin e një sistemi luftarak dhe të mbartjes ajrore, që kap një kosto prej mbi 100 miliardë eurosh.
Gjermania, Franca dhe Spanja hodhën një hap përpara për krijimin e një aleance ushtarake europiane.
Ministrat e Mbrojtjes së këtyre vendeve nënshkruan të hënën marrëveshjen kornizë për zhvillimin e një sistemi luftarak dhe të mbartjes ajrore në aneksin e Ekspozitës Ajrore të Parisit që u çel në Le Bourget.
Presidenti francez Emmanuel Macron bashkoi duart me ministren gjermane Ursula von der Leyen, atë franceze Florence Parly dhe spanjollen Margarita Robles për të nënshkruar marrëveshjen e zhvillimit të Sistemit Luftarak të së Ardhmes (FCAS).
“Është një ditë e madhe për Bashkimin Europian të Mbrojtjes,” tha shefja gjermane e Mbrojtjes Von der Leyen.
Sistemi pritet që të jetë funksional rreth vitit 2040, ndërsa mund të krahasohet me armatimet më të reja, që përfshin jo vetëm avionë luftarakë që u shmangen radarëve, por edhe sistem kundërajror, avionë të telekomanduar dhe satelitë.
Ekspertët teknikë parashikojnë se për zhvillimin e këtij sistemi do të duhen rreth 8 miliardë euro, ndërsa prokurimet dhe veprimi i sistemit mund të arrijë në 100 miliardë euro.
Marrëveshja trepalëshe kornizë parashikon organizimin dhe menaxhimin e strukturës së këtij projekti.
Krijimi i Aleancës Ushtarake të BE-së është kundërshtuar nga NATO dhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por Brukseli zyrtar thotë se kjo strukturë do të jetë ndihmëse e Aleancës Veri Atlantike.

