Bombolat e gazit për shtëpi, specialistët: Mos i blini në….

Transportimi, depozitimi dhe shitja e gazit duhet të bëhet vetëm nga shoqëritë aksionere të licensuara.

Pavarësisht kësaj qytetarët i drejtohen pikave të karburantit për të mbushur bombolat e gazit për shtëpi.

Tregtimi i lëndës djegëse nga subjektet e pa autorizuara mund të shënojë aksidente fatale. Në vetëm tre ditë në qytete të të ndryshme janë shënuar 3 rrjedhje gazi nga bombolat, ku vetëm në Tiranë u plagosen 5 persona.

“E drejta e mbushjes dhe e tregtimit të bombolave është vetëm e shoqërive të licensuara sh.a. Të cilat kanë si detyrë të bëjnë kontrollet e bombolave , gjithashtu kanë si detyrë të furnizojnë subjektet e tregtimit me pakicë.

Dhe një bombël është e sigurt vetëm kur kalon në procesin e plotë të kontrollit teknik, kur ka markën e shoqërisë tregtarë në të cilën ka peshën neto, bruto dhe të gjithë elementët e sigurisë. Dhe instalimi iu përket operatorëve të cilët janë nga subjektet e tregtimit me pakicë”, ka thënë Ahmet Shehu Drejtor I Drejtorisë së Inspektimit të Naftës dhe Gazit.

Riza Dokaj, Inspektor pranë Inspektoriatit Shtetëror Teknik dhe Industrial thotë se asnjëherë nuk duhet të ndezim zjarr pranë bombulave të gazit për të provuar nëse ka rrjedhje të lëndës djegëse.

“Mbasi e kemi montuar bomblën dhe tubacionin e kemi lidhur me vatrën mund të bëhet një testim i thjeshtë më shkumë. Pikat e kontaktit të tubacionit me sobën dhe bomblen i lyejmë më shkumë më pas hapim gazin e nëse shkuma nxjerr formën e tullumbaceve atëherë ka rrjedhje”, u shpreh Riza Dokaj Inspektor, ISHTI-T.

Kujdes edhe bombolat e gazit e kanë një datë skadence, para se të mbushini një bombol gazi në pikën më të afër të tregtimit sigurohuni që jeni drejtuar tek vendi i duhur. /Top Channel/