Boris Johnson, favorit për kreun e qeverisë britanike

Britania e Madhe pritet të njohë brenda pak orëve emrin e kreut të ri të qeverisë dhe konservatorëve në vend. Boris Jonson kryeson bindshëm në sondazhe kundrejt rivalit Jeremy Hunt, por kolegë të partisë dhe aktivistët kundër Brexit e kundërshtojnë kandidaturën e tij.

Boris Jonson pritet të shpallet të martën kryeministri i ardhshëm i Britanisë së Madhe.

Votat e 160 mijë anëtarëve të partisë për të dhe rivalin Jeremy Hunt do të dorëzohen të hënën në orën 17.

Sondazhet tregojnë se në garën për kreun e Partisë Konservatore angleze, 55-vjeçari Xhonson mbetet favoriti, ndërsa shanset që të fitojë kundërshtari i tij janë vetëm 1 në 15.

Dy rivalët prej më shumë se një muaji kanë bërë të qarta qëndrimet e tyre për çështjen më urgjente me të cilën përballet vendi, që është shkëputja nga Bashkimi Europian më 31 tetor.

Jonson, i cilësuar si Donald Trump britanik, ka premtuar të realizojë Brexit në datën e përcaktuar me ose pa një marrëveshje të re me Brukselin.

Personaliteti i tij i prerë ka krijuar armiq brenda qeverisë, dhe ministrat aktualë të drejtësisë dhe financave, dhe disa deputetë konservatorë kanë paralajmëruar largimin madje edhe rrëzimin e qeverisë nëse ai zgjidhet kryetar.

Emri i kryeministrit të ri britanik do të bëhet i njohur të martën, dhe një ditë më pas, kryetarja në largim Theresa May do paraqesë dorëheqjen te mbretëresha Elizabeta e Dytë.