Brexit/ BE e zhgënjyer, nuk ka gjasa të shtyjë sërish afatin

Ndërsa pakënaqësitë në lidhje me krizën e Brexit në Britani kanë përfshirë të gjithë Evropën, Franca dhe Hollanda kanë deklaruar se Bashkimi Evropian do të refuzojë kërkesën e kryeministrit Boris Johnson për të zgjatur afatin e divorcit përtej 31 tetorit,  gjithnjë në ka një kërkesë të tillë.

Por ndërsa durimit të 27 anëtarëve të tjerë të BE-së po i vjen fundi, pak besojnë se ka të ngjarë që liderët e tyre do ta detyrojnë Britaninë për një dalje kaotike që do të godiste si ekonomitë e tyre ashtu edhe atë të Britanisë.

Një diplomat i lartë i BE-së tha që komentet e ministrave francezë dhe holandezë mund të kenë qenë të synuara për audiencën vendase ndërsa shqetësimet rriten nëpër Evropë mbi dramën e Brexit. Këto komente gjithashtu mund të kenë qenë një paralajmërim për Britaninë se duhet të shpejtojë përpjekjet për të arritur një marrëveshje para 31 tetorit, afati pë t’u larguar nga BE.

Zyrtarët dhe diplomatët thanë se 27 vendet do të duan prova që një tjetër shtyrje nuk do të sjellë thjesht tre muaj të tjera grindje në Londër dhe një bllokim të vazhdueshëm që çon drejt një Brexit pa marrëveshje.

Zgjedhje të parakohshme në Britani, çka duket se ka të ngjarë të ndodhi, do të ishte e mjaftueshme për t’i bindur ata se dinamika mund të ndryshojë.

“Askush në BE  nuk dëshiron t’i çojë britanikët buzë shkëmbit, por kërkesa duhet të bëhet me mirëbesim,” tha një diplomat i lartë i BE.

Parlamenti britanik ka miratuar legjislacionin për të detyruar Johnson të sigurojë një shtyrje të afatit për largimin e Britanisë nga BE në një samit muajin tjetër, nëse nuk ka arritur një marrëveshje daljeje.

Megjithëse kryeministri ka thënë se ai më mirë do të  vdiste sesa të bënte një kërkesë të tillë, ai ka vetëm dy opsione: ose të japë dorëheqjen ose të shkelë ligjin./real-news.tv/