Brexit, kundërshti ndaj planit të ri të kryeministres May

brexit2.jpg

Kryeministrja e Britanisë së Madhe, Theresa May, do të prezantojë planin e saj të ri të Brexit në Parlament, mes shenjave se kundërshtitë ndaj udhëheqjes së saj po forcohen edhe nga radhët e partisë Konservatore.

Kryeministrja do të paraqesë ndryshimet në Projektligjin për Marrëveshjen e Tërheqjes, përfshirë këtu edhe një premtim për të mbajtur një tjetër referendum për Brexit.

Sekretari në hije për Brexit, Keir Starmer tha se oferta ishte “shumë e dobët”.

“Në realitet, kryeministrja tani duhet të pranojë humbjen”, tha ai.

Sekretari i Mjedisit, Michael Gove, mbrojti planin e kryeministres, duke u kërkuar deputetëve që të “reflektojnë” në hollësi për projektligjin, i cili do të bëhet publik ditën e sotme.

Mirëpo, edhe disa ligjvënës të partisë së kryeministres May, kanë kritikuar planin e saj. Midis tyre, Nigel Evans tha se do të iu kërkojë shefave të partisë të ndryshojnë rregullat partiake në mënyrë që të lejojnë një votim të menjëhershëm mosbesimi ndaj May.

Komiteti ka thënë “jo” për një ndryshim të tillë më parë.

Deputeti konservator Boris Xhonson – i cili synon të zë vendin e May si kryeministër përmes një postimi nëTwitter tha se nuk do të votojë për projektligjin.

“Na kërkohet të votojmë për një bashkim doganor dhe një referendum të dytë. Projektligji është drejtpërdrejt kundër qëndrimit tonë dhe nuk do të votoj për të”, ka thënë Xhonson.

Deputetët kanë rrëzuar tri herë marrëveshjen e Brexit të negociuar me BE-në, dhe përpjekjet për të gjetur një kompromis formal mes pozitës dhe opozitës kanë dështuar vazhdimisht.

Projektligji për daljen e Britanisë nga BE-ja do të hidhet për votim në parlamentin britanik në fillim të muajit qershor.

May ka thënë se kjo do të jetë mundësia e fundit për një dalje nga BE me marrëveshje. Por reagimet kundër kanë ardhur si nga partia e saj ashtu dhe nga opozita./real-news.tv/

Advertisement
REKLAMO NE REALNEWS +355 69 33 33 303